Shkodra në "luftë" elektorale / Fushata për bashkinë nis para kohe / Kush do ta fitojë betejën?
Në Shkodër motorët për fushatën elektorale janë ndezur fuqishëm nga partitë politike. Teksa ndodhemi vetëm një vit larg zgjedhjeve vendore, forcat politike
Anonim
e martë, 21 prill 2026 në 07:04 m.d.

Në Shkodër motorët për fushatën elektorale janë ndezur fuqishëm nga partitë politike. Teksa ndodhemi vetëm një vit larg zgjedhjeve vendore, forcat politike, krejt hapur, kanë nisur fushatën elektorale për të qenë gati në garën për bashkinë Shkodër.
I pari që ka lëshuar “artilerinë e rëndë” kudo në terren është Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, drejtues politik i PS për qarkun Shkodër.
Edhe pse ka një prej ministrive më të rëndësishme, për të mos thënë më të rëndësishmen, Karakaçi nuk është i vetëm në Shkodër.
Së bashku me të janë edhe tre drejtorë dhe një zëvendësministre, të cilët, si të deleguar politikë, i janë bashkuar ekipit të tij si krah i djathtë.
Etjen Xhafaj në Shkodër, drejtor i përgjithshëm i Postës, Ergys Verdho, drejtor i hekurudhave në Vau-Dejës, Mentor Hima, drejtor i përgjithshëm i OSHEE në Malësinë e Madhe; dhe Edona Bilali, zëvendësministre e Infrastrukturës në Pukë dhe Fushë-Arrëz, i janë bashkuar përfaqësuesve politikë në këto zona, kryetarit të bashkisë Shkodër, Benet Beci, që ka tashmë qytetin, Xhenis Çelës që ka Vau-Dejësin, Bujar Rexhës që ka Malësinë e Madhe, dhe Onid Bejlerit që ka Pukën dhe Fushë-Arrëzin.
Kjo “armatё e fortë” me ministra, zëvendësministra, drejtorë e deputetë, për momentin mund të jetë një mesazh i qartë se PS kërkon me ngulm që Shkodrën ta fitojë edhe për një mandat tjetër.
Në rast se kryebashkiaku aktual, Benet Beci, nuk kandidon për një mandat të dytë, atëherë në radhët e PS, Enea Karakaçi duket gati për të lënë kostumin e ministrit dhe për t’u bërë gati për të veshur një kostum tjetër, atë të kryebashkiakut, nëse fiton zgjedhjet vendore.
Nga ana tjetër, PSD e Tom Doshit, që në zgjedhjet e kaluara vendore ndikoi ndjeshëm në rezultat në bashkitë ku PS fitoi, ku surpriza më e madhe ishte bashkia Shkodër, ka nisur vrullshëm punën për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Hapi i parë ishte emërimi i kryetarit të ri të PSD, Xhuljan Marku, i cili zëvendëson në këtë post, Gledis Çelikun
PSD, e cila e tregoi forcën e saj edhe në zgjedhjet parlamentare duke siguruar dy deputetë, edhe kësaj here, dukshëm, do të jetë një faktor përcaktues dhe një ndihmesë e madhe për PS dhe kandidatin socialist, në këtë rast Karakaçi apo dikush tjetër.
Sa herë që ka pasur zgjedhje, familja Çela ka treguar se ka forcën e duhur për të ruajtur gjithmonë votat për një mandat deputeti.
Tashmë, me kontribut në radhët e PS, të përfaqësuar nga deputetja Xhenis Çela, edhe kësaj here janë një faktor i padiskutueshëm.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Shkodrës, pas humbjes së bashkisë, ka një sfidë të madhe përpara për t’u rikuperuar.
E ndodhur edhe mes disa problemeve të brendshme të trashëguara, PD Shkodër ka nisur punën për t’u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Demokratët qarkullojnë disa emra të mundshëm për të kandiduar, ndryshe nga PS që qartazi po luan me letra të hapura.
Në rast se PD do të arrinte të rimerrte Shkodrën, bastionin e saj për më shumë se 30 vite, do të ishte një arritje jo e vogël për demokratët.
Përtej përllogaritjeve me shifra të forcave politike, PD shpresën e madhe e ka te “geni i djathtë” i Shkodrës për të mos e lënë më shumë se 4 vite qytetin në duart e PS.
Për ta bërë këtë, duhet një bashkim i të gjithë faktorëve të PD dhe një unitet politik brenda familjes.
Deri atëherë është një kohë e gjatë, por edhe pse ka një vit nga ajo ditë, fushata elektorale praktikisht ka nisur fuqishëm më herët se asnjëherë./Shkodra Web
Ndaj këtë lajm