Çelsi shkakton “tërmet” 7 ballësh në Kupën e Anglisë, Blutë kalojnë bindshëm në gjysmëfinale
Çelsi është skuadra e dytë që siguron një vend në gjysmëfinalet e FA Cup për këtë sezon, pas Mançester Sitit që eliminoi Liverpulin. Londinezët regjistruan një fitore të thellë 7-0 ndaj Port Vale në “Stamford Bridge”, duke dominuar plotësisht ndeshjen.
Anonim
e shtunë, 04 prill 2026 në 06:47 e pasdites

Blutë e Londrës e nisën ndeshjen në mënyrë ideale, duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë. Jorrel Hato realizoi pas një situate të krijuar nga goditja e këndit, ku përfitoi nga rrëmuja në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë me një goditje të fuqishme.
Epërsia u dyfishua në minutën e 25-të, kur Zhoao Pedro finalizoi saktë pas asistit të Pedro Neto.
Në fundin e pjesës së parë, Lorens Gabriel shënoi autogol pas një përplasjeje me Kol Palmer, duke çuar rezultatin në 3-0 për vendasit para pushimit të sfidës.
Çelsi vijoi dominimin edhe në fraksionin e dytë të lojës. Tosin Adarabiojo realizoi me kokë në minutën e 56-të pas një krosimi të Malo Gusto.
Më pas, rrjetën e gjetën edhe dy talentet brazilianë, Andrej Santos dhe Estevao, duke thelluar diferencën.
Në minutat shtesë, Alehandro Garnaço vulosi rezultatin përfundimtar 7-0 nga pika e bardhë e penalltisë.
Port Vale, që konsiderohej një nga surprizat e këtij edicioni të FA Cup, aktualisht renditet në vendin e fundit në Ligën Një dhe pritet të zbresë në Ligën Dy sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, Enzo Fernandez nuk ishte i pranishëm në fushë, pasi po vuan një pezullim prej dy ndeshjesh të vendosur nga klubi. Ky vendim erdhi pas deklaratave të tij publike gjatë javës, ku argjentinasi shprehu dëshirën për të jetuar në një qytet si Madridi, duke lënë të kuptohet një transferim të mundshëm te Reali.
Ndaj këtë lajm